04. Të shpenguar…me një sakrificë të madhe! (Ransomed with a Great Sacrifice)

Share this

‘Të shpenguar…me një sakrificë të madhe’!

Assalamu’alaikum
Kurani i nderuar jep një ilustrim mjaft të hollësishëm të nënshtrimit ndaj Fjalës së Allahut në jetën e Ibrahimit. Ne duhet ta konsiderojmë veten të bekuar që e dimë këtë histori.

Ibrahimi thirret…
Një nga shembujt më të mirë të nënshtrimit ndaj Fjalës së Allahut është kur Ibrahimi u thirr që ta linte vendin e tij, farefisin e tij, shtëpinë e tij dhe të shkonte në një vend të cilin do t’ia tregonte Allahu. Ibrahimi iu bind plotësisht Allahut kur i foli Allahu. Kjo gjë është shënuar te Zanafilla 12:1 (Tevrati): “Tani ZOTI i kishte thënë Ibrahimit: ‘Largohu nga vendi yt dhe nga farefisi yt dhe nga shtëpia e babait tënd dhe shko në një vend që do të ta tregoj unë’”. Vazhdon më tutje duke shënuar përgjigjen e Ibrahimit… Zanafilla 12:4: “Kështu Ibrahimi u nis ashtu siç i kishte thënë ZOTI…dhe Ibrahimi ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u largua nga Harani.” Ibrahimi tashmë nuk ishte më djalë i ri. Ai kishte zënë vend aty dhe kishte shumë pasuri por, kur Ibrahimi dëgjoi zërin e Allahut, ai u bind pa bërë fjalë. Ibrahimit nuk iu tha se ku do të shkonte por thjesht iu tha që të mblidhte plaçkat dhe të nisej, me besim të plotë se do ta udhëhiqte Allahu. Siç e shikoni, Ibrahimi ishte i lidhur ngushtë me Allahun. Ai e dinte se rruga e Tij ishte më e mira. Edhe kur nuk e kuptonte arsyen e plotë, ai thjesht i besonte Fjalës së Allahut dhe i bindej dëshirave të Tij. Edhe për ne do të ishte mirë që t’i nënshtrohemi Allahut ashtu si Ibrahimi.

Ibrahimi thirret për të sakrifikuar…
Kurani i nderuar na tregon se Musait (Moisiut) iu dha Shkrimi i Shenjtë (Tevrati) dhe kriteri midis të drejtës dhe të gabuarës. Sura 2:53 Al-Bakara

“Dhe mos harroni se Ne i dhamë Moisiut Shkrimin e Shenjtë (Tevratin) dhe kriterin (midis të drejtës dhe të gabuarës)…” Te Zanafilla, (Tevrati), është shkruar e gjithë historia e Ibrahimit. Në kapitullin 22 të Zanafillës është shkruar ngjarja se si Ibrahimit iu bë thirrje që të sakrifikojë djalin e tij. Na tregon se si ndodhi. A është e rëndësishme kjo ngjarje? Në Surën 26:69 na tregon se ne duhet të ‘praktikojmë’ historinë e Ibrahimit. Profeti Muhamed e dinte se kjo ngjarje do të kishte shumë rëndësi për ne sepse prej saj ne nxjerrim mësim. Prandaj po përpiqemi që ta japim të gjithë ngjarjen. 026.069 Ash-Shuara

“Dhe praktikoni për ata (diçka nga) historia e Ibrahimit.” Te Zanafilla 22:2 (Tevrati) shkruhet… “dhe ai (Allahu) tha: ‘Merre tani birin tënd, birin tënd të vetëm”…dhe pastaj fjalët mjaft të dhimbshme… “të cilin e do dhe shko në vendin e Moriahve dhe ofroje atë atje si sakrificë të djegur në një nga malet që do të të tregoj unë.”
Kur Allahu i kërkoi Ibrahimit që të sakrifikojë djalin e tij, Ibrahimi u bind plotësisht. Kjo histori tregohet shkurtimisht edhe tek As-Saaffat Sura 037.102-107. Kjo nuk kishte se si të ishte një detyrë e lehtë për Ibrahimin! As që mund të përshkruhet dhimbja e thellë që ndjente zemra e tij e dhimbsur! Megjithatë Fjala ishte dhënë nga Allahu, urdhri tingëllonte i qartë në mendjen e tij dhe Ibrahimi e kishte zakon të bashkëbisedonte me Allahun. Midis tij dhe Allahut ishte krijuar një marrëdhënie e tillë që ai e dallonte zërin e Allahut kur e dëgjonte. Dhe dashuria që kishte Ibrahimi ndaj Allahut ishte e tillë që, kur Ibrahimi dëgjonte zërin e Tij, ai bindej me gjithë zemër edhe atëherë kur ai nuk e kuptonte plotësisht arsyen e vërtetë.

Ibrahimi i quajtur ‘Hanif’
Ibrahimi konsiderohet të jetë ‘Hanif’ midis atyre të cilët janë vërtet të sinqertë dhe majft të devotshëm ndaj Allahut. ‘Hanif’ janë ata të cilët janë më të pastrit në fenë e tyre ndaj Allahut. Te Zanafilla 22:3 tregohet se pse Ibrahimi konsiderohet të jetë ‘Hanif’. Pasi iu dha mesazhi Ibrahimit, aty thuhet …“dhe Ibrahimi u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit dhe mori me vete dy prej ndihmësave të tij dhe …djalin e tij dhe preu (çau) drurin për sakrificën e djegur dhe u ngrit e shkoi në vendin ku i kishte thënë Allahu.” Kjo bën që Ibrahimi të jetë ‘Hanif’. Kur dëgjoi zërin e Allahut, Ibrahimi u bind dhe vuri në veprim atë që iu tha. A është e vërtetë sot se ata që i binden zërit të Allahut, ata që i nënshtrohen plotësisht Atij janë gjithashtu ‘Hanif’?

Ibrahimi thirret që të shkojë në malin Moriah
Detyra që i kishte ngarkuar Allahu Ibrahimit nuk ishte gjë e vogël. Mund të përmendim se u deshën tri ditë për të udhëtuar për në vendin Moriah. Duhet të kenë qenë tri ditë të gjata dhe të dhimbshme duke ditur se ndoshta ai do të kthehej i vetëm nga vendi i sakrificës. Mendojmë me hamendje nëse Ibrahimi gjeti qetësi gjatë netëve kur të tjerët flinin. Me siguri që Ibrahimi ka debatuar çdo natë me Allahun në lutje në lidhje me këtë çështje. Vazhdojmë të lexojmë më tutje: (Tevrati) Zanafilla 22:4: “Pastaj në ditën e tretë Ibrahimi ngriti sytë lart dhe e pa vendin që nga larg. Dhe Ibrahimi u tha ndihmësave të tij: ‘Qëndroni këtu me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë atje tutje dhe do të adhurojmë Zotin dhe do të kthehemi përsëri te ju.’”
Askush tjetër nuk duhej të ishte i pranishëm në këtë ngjarje përpara Allahut përveç babait dhe birit të tij. Kështu “Ibrahimi mori drurin për sakrificën e djegur dhe e vuri atë mbi …birin e tij; dhe mori zjarrin në dorë dhe një thikë; dhe shkuan të dy bashkë.” Vargu 6. Pas pak djali i Ibrahimit foli duke thënë…“ati im…shiko zjarrin dhe drutë. Po qengji për sakrificën e djegur ku është? Dhe Ibrahimi tha: ‘Biri im, Perëndia (Allahu) vetë do ta gjejë qengjin për sakrificën e djegur’. Dhe kështu ata u nisën së bashku.”
Ata arritën në vend, e ngritën altarin, i vendosën drutë mbi altar dhe pastaj djalit të Ibrahimit iu bë e ditur se do të ishte ai sakrifica. Djali i tij iu nënshtrua asaj që Allahu i kishte kërkuar Ibrahimit dhe u vendos mbi altar. Ky ishte biri i dashur i Ibrahimit i pleqërisë. Pastaj kur Ibrahimi ngriti dorën me të cilën mbante thikën…dora iu ndal në vend…
Në momentin që Ibrahimi po bëhej gati të therte djalin e tij, u dëgjua një zë… ‘Ibrahim, Ibrahim,’ Ai u përgjigj “Ja ku jam”. Zanafilla 22:11. Vazhdon në vargjet 12-13. “dhe Ai (Allahu) tha: ‘Mos vër dorë mbi djalin e mos i bëj asgjë atij sepse unë tani e di që ti e ke frikë Perëndinë (Allahun), sepse e shikoj që nuk e ke kursyer për mua birin tënd, birin tënd të vetëm’…dhe Ibrahimi ngriti sytë lart dhe shikoi dhe ja aty mbrapa tij pa një dash brirët e të cilit kishin ngecur në shkurre. Dhe Ibrahimi shkoi dhe e mori dashin dhe e ofroi si sakrificë të djegur në vend të birit të tij.”

I biri i Ibrahimit shpengohet
Si u shpengua i biri i Ibrahimit? Kurani i nderuar thotë se ai u shpengua me një sakrificë vendimtare ose të madhe! Sura 37:107

“Dhe Ne e shpenguam atë me një sakrificë vendimtare…” Lind pyetja: “Dashi që kishte ngecur në shkurre, a ishte në të vërtetë një ‘sakrificë vendimtare ose e madhe?” Apo fshihet diçka tjetër pas kësaj historie? A ka mundësi që dashi i ngecur në shkurre i ofruar nga Allahu të na drejtojë drejt “Sakrificës së Madhe”? A mos përfaqëson kjo Atë të cilin do të dërgonte Allahu për të qenë oferta e mëkatit për të gjithë botën? Në një farë mënyre biri i Ibrahimit përfaqësonte të gjithë njerëzimin. Ne të gjithë duhet të vdesim përjetësisht si rezultat i mëkatit por ne mund të jetojmë për shkak të qengjit-dash, shpengesës të ofruar nga Allahu që u sakrifikua në vendin tonë. Emri i Tij ishte Isa al-Masih, Krishti Jezus, i dërguar nga Allahu për të qenë shpërblesa në emër të njerëzimit. Njeriu kishte rënë në mëkat e megjithatë Allahu do të ofronte një zgjidhje. Raca mëkatare u desh që të shpengohej me një sakrificë madhështore të Atij që ishte dërguar nga Allahu.

Ibrahimi i quajtur i bekuar nga Allahu
Për arsye se Ibrahimi iu bind zërit të Allahut në këtë rast, shkrimi te Zanafilla 22:17-18 (Tevrati) e quan Ibrahimin të bekuar nga Allahu. Nuk do të bekohej vetëm Ibrahimi, por gjithashtu edhe fara (pasardhësit) e Ibrahimit bile të gjithë kombet e botës. “Unë (Allahu) do të të bekoj ty…Unë do ta shumëfishoj farën tënde sa yjet në qiell dhe sa rëra që është buzë detit…dhe me anë të farës tënde do të bekohen të gjithë kombet e botës sepse ti i je bindur zërit tim.”
Zanafilla 26:5 na tregon përsëri se pse është bekuar Ibrahimi nga Allahu… “Sepse Ibrahimi iu bind zërit tim dhe zbatoi komandën time, urdhëresat e mia, statutet e mia dhe ligjet e mia.” Disa kundërshtojnë duke thënë se Dhjetë Urdhëresat nuk u dhanë deri në kohën e Moisiut në Sinai, shumë kohë pas Ibrahimit por shkrimi këtu te Zanafilla e vërteton njëherë e mirë faktin se edhe vetë Ibrahimi iu bind Dhjetë Urdhëresave të Allahut sepse aty është shënuar që Ibrahimi i zbatonte urdhëresat e Allahut.
Në qoftë se dëshirojmë që të kemi bekimin e Allahut, edhe ne duhet të jemi të gatshëm që t’i bindemi fjalës së Allahut dhe Urdhëresave të Tij në të njëjtën mënyrë që u bind Ibrahimi. Është mëse e sigurt që edhe ne do të bekohemi nga Allahu.

Të gjitha vargjet në Shkrimin e Shenjtë të Testamentit të Vjetër (Tevratit) të cilat flasin për sakrifikimin e kafshëve kishin si qëllim që t’i bënin njerëzit që të shikonin drejt ‘Sakrificës së Madhe’, ‘Sakrificës vendimtare’ që do të dërgohej nga Allahu. “Eid Mubarak” (Sakrifica vendimtare), na çon drejt Isa al-Masih-së i cili do të ishte “sakrifica vendimtare për mëkatet e të gjithë botës”. Megjithatë kur Isa al-Masih-a erdhi më së fundi, shumë pak persona e kuptuan misionin e Tij. Shumë pak persona e kuptuan se ky ishte në të vërtetë Mesia, Oferta për Mëkatin, Shpengimi, Shpëtimtari i Botës së rënë në mëkat.
Lind pyetja: “Pse i kërkoi Allahu Ibrahimit që të shkojë deri te Mali Moriah?” Ky ishte i njëjti Mal Moriah ku më vonë do të ndërtohej tempulli por gjithashtu vetë vendi ku shumë vite më vonë, Isa al-Masih-a do të jepte jetën e Tij si sakrificë për racën njerëzore. Ishte mbi këtë mal, në të njëjtin mal ku shekuj më parë dora e Ibrahimit qe ndalur për t’i shpëtuar jetën birit të tij por këtë herë vetë dora e Allahut nuk do të ndalej dhe Ai (Isa al-Masih-a) që ishte shumë pranë Allahut, u sakrifikua në emër të njerëzimit. Jeta e Isa al-Masih-së u dha për ne. Ngjarja e Ibrahimit me djalin e tij ishte një parapërfytyrim i asaj që do të vinte më vonë. Në kohën e Ibrahimit u gjet një shpengim, dashi në shkurre. Në Inxhil thuhet… “sepse Biri i Njeriut [Isa al-Masih-a] erdhi …për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve” Mateu 20:28
Në kohët e lashta, njerëzit e mençur në Lindje e dinin se do të vinte një shpengim në emër të njerëzimit. Në Librat e Shenjtë ne lexojmë sa më poshtë: …“çliroje atë [njeriun] që të mos bjerë në gropë [shkatërrim]. Kam gjetur një shpengim.” Jobi 33:24
Shpengimi është çmimi i paguar për mëkatarin që t’i falet mëkati. “Paga për mëkatin është vdekja” dhe dikush duhej ta paguante çmimin në emër të njeriut ose përndryshe njeriun vetëm gropa [shkatërrimi] do ta priste. Shkruhet në Inxhil se Allahu ofroi një sakrificë, një shpengim…Hebrenjve 10:12 “Por ky njeri [Isa al-Masih-a] pasi ofroi një sakrificë përgjithmonë për mëkatet, u ul në krahun e djathtë të Perëndisë [Allahut]”
1 Gjon 2:2 “Dhe Ai (Isa al-Masih-a) është pajtuesi [ndërmjetësi] për mëkatet tona dhe jo vetëm për tonat por edhe për mëkatet e gjithë botës.”
I dashur mik i Allahut, a do ta pranosh këtë sakrificë, këtë shpengim nga Allahu në emrin tënd? Për ty mik i dashur, Allahu dha Isa al-Masih-në, Mesinë si “Sakrificë vendimtare”. Na është dhënë mua dhe ty si Shpëtimtari ynë nga mëkati. Të lutem pranoje këtë ofertë bujare sot!

Teksti nga Kurani është kopjuar nga DivineIslam’s Qur’an Viewer software v2.913
Shkrimi i Shenjtë/teksti i Biblës është marrë nga versioni King James Version.
www.salahallah.com

‘Të shpenguar …me një sakrificë të madhe’

As-Saaffat 107
(Sura 37:107)

Seria nr. 04